Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar pas protestës së zhvilluar dje para Kuvendit, duke publikuar një video ku shihet një protestues teksa pastron fytyrën e një efektivi policie me flamurin kombëtar.
Balla e ka shoqëruar videon me kritika ndaj përdorimit të flamurit kuqezi në atë moment.
“Po shoh që influencerat e protestës, ata që rrisin followers dhe likes prej saj, po e përshëndesin këtë akt të një protestuesi që vezën, apo nuk di çfarë lënde është hedhur mbi fytyrën e një polici, po ia pastron. Uau, shumë bukur! Çfarë akti?! Dakord, duhet përshëndetur edhe pse ai që e fshin është njëri prej atyre që e ka hedhur, nëse nuk është ai vetë. Dhe s’duhet ta kishte hedhur. Megjithatë, reflektimi dhe ndjesa janë të mirëpritura. Falja nuk gjykohet.
Por unë kam diçka tjetër: po si mund ta përdorësh flamurin kombëtar kuq e zi si peshqir?!”, shkruan Balla.










