Përplasjet mes policisë dhe protestuesve/ Lamallari dhe Hita viziton në spital efektivët e lënduar

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në spital efektivët e Policisë së Shtetit të mbetur të plagosur gjatë tensioneve dhe përplasjeve me protestuesit para Kuvendit të Shqipërisë.

Përmes një reagimi publik, Lamallari dënoi ashpër aktet e dhunës ndaj uniformave blu, duke theksuar se tre efektivë janë plagosur gjatë kryerjes së detyrës.

“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Efektivët e Policisë janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se sulmi ndaj policisë përbën sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues, ndërsa paralajmëroi se personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë.

“Sot disa persona abuzuan me të drejtën kushtetuese për tubim paqësor, duke e kthyer protestën në dhunë ndaj punonjësve të Policisë. Çdokush që ngriti dorën ndaj ligjit do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Lamallari.

Ministri shprehu gjithashtu mbështetjen për efektivët e angazhuar në ruajtjen e rendit publik, duke vlerësuar profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e tyre gjatë menaxhimit të situatës.

Në fund të reagimit, ai uroi shërim të shpejtë për dy efektivët e shtruar në Spitalin e Traumës, si edhe për punonjësin e Komisariatit nr. 5 që po merr ndihmë mjekësore në QSUT.