Një defekt në sistemin e pikës doganore greke në Krystallopigi, në kufi me Kapshticën, ka shkaktuar pritje dhe radhë të gjata për udhëtarët gjatë ditës së sotme.
Sipas raportimeve, prej rreth tre orësh sistemi i palës greke ka dalë jashtë funksionit, duke bllokuar përkohësisht kalimin e qytetarëve drejt territorit grek. Si pasojë, në zonën neutrale janë krijuar kolona automjetesh, ndërsa udhëtarët po përballen edhe me temperaturat e larta që arrijnë deri në 30 gradë Celsius.
Qytetarët që ndodhen në kufi shprehen se deri tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga pala greke për arsyet e defektit apo kohën e rikthimit të sistemit në funksion.
Ndërkohë, pala shqiptare vijon punën normalisht dhe nuk raportohet për probleme në përpunimin e dokumenteve.










