Dita e 31-të e protestës, qytetarët mblidhen sot para Parlamentit në orën 10:00

Nën sloganin “Ndryshimi fillon me ne, është koha të zgjohemi”, është paralajmëruar për ditën e sotme një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, që do të nisë në orën 10:00, paralelisht me zhvillimin e seancës plenare.

Protesta u bë publike mbrëmjen e së hënës nga organizatorët e tubimeve të përnatshme, të cilët prej javësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta para Parlamentit synon të shprehë pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisë dhe situatës politike në vend.

Ndërkohë, është konfirmuar se edhe në orën 19:00 do të mbahet tubimi i përnatshëm në sheshin “Skënderbej”. Qytetarët pritet të mblidhen fillimisht në qendër të Tiranës dhe më pas të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë.

Autoritetet kanë paralajmëruar masa për garantimin e rendit publik dhe menaxhimin e qarkullimit rrugor në zonat ku do të zhvillohen protestat.