Vala e të nxehtit në Evropë, OBSH: Mbi 1,300 v*kt*ma

Evropa po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, e cila ka shkaktuar mbi 1,300 viktima që nga 21 qershori, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Temperaturat rekord në disa vende kanë ngritur alarmin për pasojat serioze të ndryshimeve klimatike.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e cilësoi stresin nga nxehtësia si një “vrasës të heshtur”, duke theksuar se shumë ndërtesa në Evropë nuk janë të përshtatura për temperatura kaq të larta.

Në Gjermani u regjistrua temperatura më e lartë historike, 41.7 gradë Celsius në Coschen, pranë kufirit me Poloninë. Rekorde të reja u shënuan edhe në Poloni me 40.5°C dhe në Republikën Çeke me 41.1°C.

Franca është ndër vendet më të goditura, ku autoritetet raportojnë rreth 1,000 vdekje më shumë se mesatarja normale që nga e mërkura, kryesisht tek të moshuarit mbi 65 vjeç. Po ashtu, të paktën 74 persona kanë humbur jetën nga mbytja në zona ujore të pambikëqyrura.

Sipas OBSH-së, Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale, ndërsa valët e të nxehtësisë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive.

Për shkak të temperaturave ekstreme, disa shtete kanë marrë masa emergjente. Në Holandë u anulua festivali Defqon.1, ndërsa në Paris u pezulluan aktivitete publike për të lehtësuar ngarkesën ndaj shërbimeve të urgjencës. Meteorologët e lidhin këtë valë me fenomenin e “kupolës së nxehtësisë”, që mban ajrin e nxehtë të bllokuar mbi rajon.