Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka prezantuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, duke theksuar se menaxhimi i fluksit të vizitorëve mbetet një prioritet kyç për institucionin.
Sipas Hitës, Shqipëria po përjeton një nga sezonet më të suksesshme turistike, me miliona vizitorë që zgjedhin vendin për bukuritë natyrore, historinë dhe kulturën, por edhe për sigurinë dhe mikpritjen.
Ai theksoi se Policia Kufitare dhe Policia Rrugore janë kontakti i parë i turistëve me Shqipërinë, ndaj uniforma e policisë duhet të përfaqësojë jo vetëm autoritetin e ligjit, por edhe korrektesën dhe mirësjelljen.
Në fokus të veçantë do të jenë zonat bregdetare, ku patrullimet do të intensifikohen përgjatë gjithë vijës së detit në bashkëpunim me Rojën Bregdetare. Për herë të parë këtë sezon, njësia policore detare do të mbështetet edhe nga monitorimi ajror me dronë, për një kontroll më të plotë të territorit.
Hita paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje nga mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve, ndërsa kontrollet ndaj motorëve të ujit, skafeve dhe anijeve turistike do të jenë të pandërprera dhe të rrepta.










