Venezuela është tronditur nga dy tërmete të forta që kanë lënë pas të paktën 32 viktima dhe rreth 700 të plagosur. Lajmi u konfirmua nga presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.
Sipas të dhënave paraprake, tërmeti i parë arriti magnitudën 7.2, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë vendi u godit nga një tjetër lëkundje edhe më e fortë, me magnitudë 7.5.
Epiqendra e tërmetit të dytë u lokalizua rreth 23 kilometra në juglindje të qytetit Yumare, pranë bregdetit dhe rreth 300 kilometra larg kryeqytetit Caracas.
Lëkundjet ndodhën në orën 18:04 sipas kohës lokale, në një moment kur në vend po zhvilloheshin festime kombëtare dhe shumica e qytetarëve ndodheshin në banesat e tyre. Tërmetet u ndjenë pothuajse në të gjithë territorin venezuelian, si dhe në zona të largëta deri në Bogotá të Kolumbisë.
Autoritetet dhe mediat lokale raportojnë probleme të konsiderueshme në rrjetet e komunikimit, veçanërisht në Caracas, Miranda dhe La Guaira. Ndërprerjet e telefonisë dhe internetit kanë vështirësuar kontaktet mes familjeve dhe përpjekjet e shumë qytetarëve për të marrë informacion mbi gjendjen e të afërmve të tyre në zonat e prekura.
Ekspertët theksojnë se ndërprerje të tilla janë të zakonshme pas tërmeteve të fuqishme, për shkak të mbingarkesës së rrjeteve dhe dëmtimeve të mundshme në infrastrukturën e telekomunikacionit. Deri më tani, kompanitë e sektorit nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar për shkakun e problemeve të raportuara.










