Europa përfshihet nga vala ekstreme e të nxehtit, tre v*kt*ma në Francë dhe al*rm i kuq në disa vende

Vala ekstreme e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar viktima, mbyllje shkollash dhe alarm të kuq në disa shtete.

Në Francë, tre persona të moshës 80 deri në 95 vjeç humbën jetën nga probleme shëndetësore të lidhura me temperaturat e larta gjatë fundjavës, ndërsa rreth 2,700 shkolla do të qëndrojnë të mbyllura ose do të ndryshojnë oraret e tyre.

Në Bordeaux, temperaturat pritej të kalonin 42 gradë Celsius, ndërsa shërbimi meteorologjik Météo-France vendosi 49 rajone në alarm të kuq për valë të nxehti.

Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, deklaroi se vendi po përballet me disa ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta dhe se ende nuk dihet kur do të nisë ulja e tyre.

Situata paraqitet kritike edhe në Spanjë, ku agjencia meteorologjike Aemet lëshoi alarm të kuq për Vendin Bask. Në San Sebastian temperaturat pritej të arrinin 40 gradë Celsius, pothuajse dyfishi i mesatares historike për këtë periudhë.

Temperatura shumë të larta janë regjistruar edhe në Itali, në qytete si Roma, Bolonja, Firence, Milano dhe Torino, si edhe në Gjermani, ku parashikohen deri në 39 gradë Celsius në mesin e javës.

Edhe Britania është vendosur në alarm të kuq për mot ekstrem. Shërbimi Meteorologjik Britanik, Met Office, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencave civile.

Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit është shkaktuar nga një masë ajri shumë e ngrohtë që lëviz nga Sahara drejt veriut, e përforcuar nga anticikloni afrikan, i cili ka krijuar një “kupolë termike” mbi Evropën Perëndimore dhe Qendrore.

Kjo është vala e dytë e madhe e të nxehtit që godet Evropën këtë vit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 200 mijë persona kanë humbur jetën në Evropë gjatë katër viteve të fundit nga shkaqe të lidhura me temperaturat ekstreme.

Ndërkohë, rezervatet e kafshëve të egra në Evropën Veriore po përballen me një numër në rritje kafshësh të prekura nga i nxehti, veçanërisht zogjve që folezojnë nën çati ku temperaturat arrijnë nivele kritike.