Momente paniku janë regjistruar në Filipine, ku një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter goditi të hënën në mëngjes jugun e vendit, pranë një qyteti me rreth 720 mijë banorë.
Sipas raportimeve paraprake, të paktën 12 persona humbën jetën dhe mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur. Disa ndërtesa u shembën, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për cunami për Filipinet dhe vendet përreth.
Epiqendra e tërmetit ndodhej në ishullin Mindanao, në një thellësi të vogël, çka bëri që lëkundjet të ndiheshin me intensitet të lartë. Pas goditjes kryesore u regjistruan edhe disa pasgoditje të forta, disa prej tyre me magnitudë mbi 6.
Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor njoftoi se rreziku i cunamit kishte kaluar kryesisht rreth pesë orë pas tërmetit. Sipas drejtorit të Institutit Filipinas të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë, Teresito Bacolcol, nuk ka raportime për viktima apo dëme të shkaktuara nga cunami.
“Është një tërmet i madh dhe presim dëme. Nga pamjet që kemi parë, duket se ka tashmë ndërtesa të dëmtuara”, deklaroi Bacolcol për Associated Press.
Sipas institutit filipinas, epiqendra ndodhej në det, rreth 32 kilometra në jugperëndim të qytetit Maasim, në provincën Sarangani.
Kujtojmë se në tetor 2025, Filipinet jugore u goditën gjithashtu nga një tërmet i fortë me magnitudë 7.4.










