Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë mesditën e sotme në Athinë dhe zona të tjera të Greqisë.
Sipas të dhënave paraprake, janë regjistruar disa goditje sizmike me epiqendër në zonën e Mandudhit, në Evia, pranë Kalkidhës. Tërmeti i parë u raportua me magnitudë 4.3 ballë, ndërsa më pas u regjistruan lëkundje të tjera më të forta.
Instituti Gjeodinamik i Athinës bën me dije se janë regjistruar tre goditje sizmike, dy prej të cilave me magnitudë 4.3 dhe 4.8 ballë të shkallës Rihter. Thellësia e tyre ka qenë rreth 5 kilometra, çka bëri që lëkundjet të ndiheshin fuqishëm edhe në Athinë.
Deri më tani, autoritetet greke nuk kanë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa situata po monitorohet nga shërbimet përkatëse.










