Hita : “Ngjarja në Zvërnec cenoi besimin e qytetarëve, përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një konferencë për shtyp në Vlorë, ku foli për ngjarjen e 30 majit në Zvërnec dhe masat e marra pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së banorëve kundër një projekti ndërtimor.

Ai pranoi se mënyra e menaxhimit të situatës dhe informacioni i pasaktë i dhënë fillimisht publikut kanë dëmtuar standardet e Policisë së Shtetit dhe besimin e qytetarëve. Për këtë arsye, sipas tij, janë ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe hetimore për të identifikuar përgjegjësit.

Në fokus të deklaratës ishte shkarkimi i drejtorit të Policisë së Vlorës, për shkak të dështimit në menaxhimin e protestës dhe informimit të pasaktë mbi rastin e qytetarit që u mor me forcë dhe u godit nga punonjës të sigurisë private në kantier.

Drejtori i Përgjithshëm njoftoi gjithashtu se është komanduar në krye të Policisë së Vlorës Drejtues Edvin Ndreu, me detyrën për të riorganizuar strukturat policore dhe për të forcuar profesionalizmin e tyre.

Sipas tij, një grup i posaçëm hetimor po verifikon të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës.

Një tjetër masë e rëndësishme ishte heqja e licencave për dy subjektet private të sigurisë, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pasi nga verifikimet rezultuan shkelje të konstatuara nga autoritetet.

Drejtori i Policisë përsëriti ndjesën publike për informacionin e pasaktë të dhënë fillimisht dhe theksoi se Policia ka detyrim të garantojë të drejtën e protestës, por edhe mbrojtjen e pronës private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që kundërshtimet për çështjet e pronësisë apo zhvillimit të projekteve t’i ndjekin përmes rrugëve ligjore dhe gjykatave.

Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit garantoi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit apo neglizhencë në detyrë, ndërsa siguria publike, sezoni turistik, siguria rrugore dhe lufta kundër kriminalitetit do të mbeten prioritetet kryesore të policisë gjatë verës 2026.