SPAK kërkon 56 vite burg për 5 të pandehurit e dosjes “Revanshi”, mes tyre vëllai i ish-deputetit socialist Eduart Ndreca

Prokuroria e Posaçme ka shpallur pretencën për pesë të pandehurit e dosjes “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burgim për personat e përfshirë në këtë procedim penal.

Mes tyre është edhe Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit socialist Eduart Ndreca, për të cilin SPAK kërkoi 15 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij pritet të zbresë në 10 vite.

Për Elvis Ndrecën u kërkua dënimi me 9 vite burg, i cili me gjykim të shkurtuar reduktohet në 6 vite. Ndërsa për ish-efektivin e RENEA-s, Adrian Pikli, SPAK kërkoi 10 vite e 6 muaj burg, që me uljen e një të tretës zbret në 7 vite. Për Deivis Bajramajn u kërkuan 12 vite burg, që reduktohen në 8 vite, ndërsa për Edison Muçekun 9 vite, me dënim përfundimtar 6 vite burgim.

Sipas akuzës, të pandehurit janë përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me grup të strukturuar kriminal, kultivim të bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se gjatë vitit 2020 janë ndërmarrë veprime për sigurimin e mjeteve dhe kushteve për eliminimin e disa personave, ndërsa një pjesë e të pandehurve dyshohen edhe për aktivitete të lidhura me trafikun e armëve dhe narkotikëve.

Dosja “Revanshi” konsiderohet një nga hetimet më të gjera të SPAK ndaj grupeve kriminale dhe është ndarë në disa pjesë për shkak të numrit të madh të episodeve dhe personave të përfshirë. Vendimi përfundimtar do të merret nga Gjykata e Posaçme.