Bashkitë Fier dhe Gjirokastër kanë shpallur zyrtarisht zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”, me synim nxitjen e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në territoret rurale.
Në bashkinë e Fierit janë përcaktuar tetë zona prioritare në njësitë administrative Libofshë, Cakran, Dërmenas, Frakull, Levan, Mbrostar Ura, Portëz dhe Qendër, me një sipërfaqe totale prej mbi 16 mijë hektarësh.
Ndërkohë, në bashkinë e Gjirokastrës janë shpallur nëntë zona prioritare, që përfshijnë fshatrat Fushëbardhë, Zhulat, Asim Zeneli, Golem, Kolonjë, Krinë, Tranoshisht, Erind, Nokovë, Mingul dhe Shtëpëz, me një sipërfaqe prej mbi 1 500 hektarësh.
Sipas vendimit, në këto zona do të mbështeten aktivitete me karakter ekonomik, industrial dhe turistik, me synimin për të rritur potencialin e territorit dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi e zhvillimi për komunitetet lokale.
Për zbatimin e kësaj nisme janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si dhe bashkitë Fier dhe Gjirokastër.
Ndërkohë, nisma ka ngjallur debate dhe akuza nga kundërshtarët, të cilët pretendojnë se mund të përdoret për tjetërsim pronash. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ervin Demo, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se “Paketa e Maleve” synon zhvillimin ekonomik lokal dhe nuk përfshin prona në pronësi individuale.
Një muaj më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nuk do të rikandidojë asnjë kryetar bashkie që nuk arrin të nënshkruajë të paktën 10 kontrata investimesh në kuadër të kësaj pakete zhvillimore.










