Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar zyrtarisht se më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian do të vulosë përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe do të hapë fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim të plotë. Kreu i qeverisë e quajti këtë zhvillim si “shënimin e shënimeve”, duke sqaruar se ky vendim vjen pas ballafaqimit pozitiv me Komisionin Europian për detyrat e kryera nga Shqipëria.

Nga ana tjetër, Rama nuk i ka kursyer kritikat e ashpra ndaj aksionit dhe retorikës së opozitës në Tiranë, duke i akuzuar se u përpoqën ta dëmtonin imazhin e vendit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë përmes protestave dhe lobimeve bllokuese në Europë.
“Ndërkohë që ‘molotovarët’ e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës… duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane,” u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, përkundër pretendimeve të opozitës se rruga europiane ishte e bllokuar dhe qeveria e izoluar, Shqipëria ia doli të triumfojë.
“U gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar,” deklaroi Rama.










