Fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë për përfitimin e subvencioneve nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 duke filluar nga data 25 maj. Në prag të hapjes së thirrjes, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural po zhvillon një seri takimesh informuese në të gjithë vendin për të orientuar aplikantët mbi procedurat dhe kriteret e përfitimit.
Një prej këtyre takimeve u zhvillua sot në Berat, ku përfaqësues të agjencisë prezantuan detajet e skemës dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë fermerët për të aplikuar me sukses.
Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, bëri të ditur se specialistët e institucionit kanë ofruar sqarime mbi kushtet e përfitimit, procedurat administrative dhe mënyrën e aplikimit për secilën nga masat mbështetëse të parashikuara për këtë vit.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive që ofron skema për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së fermave në treg.
Sipas të dhënave të AZHBR-së, Skema Kombëtare 2026 përfshin 9 masa mbështetjeje direkte dhe 3 masa investimesh, me një fond fillestar prej 5.2 miliardë lekësh. Programi synon të mbështesë investimet, mekanizimin, certifikimin e produkteve, zhvillimin e blegtorisë dhe formalizimin e aktivitetit bujqësor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.










