Një delegacion i Departamentit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), i kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë për Ndihmën Policore, Gregor Erb, zhvilloi një vizitë zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë.
Delegacioni u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita.
Në qendër të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe përmirësimi i koordinimit të mbështetjes që BKA ofron për Policinë Kriminale shqiptare dhe Institutin e Policisë Shkencore. Palët diskutuan gjithashtu harmonizimin e këtij bashkëpunimi me projektet ekzistuese të Bashkimit Europian në rajon.
Drejtori Hita vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të palës gjermane, duke theksuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar kërkon bashkëpunim të strukturuar dhe aleanca të qëndrueshme. Ai shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm të partneritetit dhe zgjerimin e projekteve të përbashkëta.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i BKA-së, Gregor Erb, falënderoi për mikpritjen dhe rikonfirmoi mbështetjen e institucioneve gjermane për Policinë e Shtetit, përmes projekteve të përbashkëta, trajnimeve dhe pajisjeve moderne, me synim rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave hetimore dhe të Policisë Shkencore në Shqipëri.










