Komisioni Europian parashikon një ngadalësim të ekonomisë shqiptare në dy vitet e ardhshme. Në raportin e pranverës, Brukseli vlerëson se rritja ekonomike do të zbresë në 3.3% gjatë viteve 2026 dhe 2027, nga 3.7% që ishte në vitin 2025.
Sipas raportit, ekonomia do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërsa turizmi pritet të mbetet një nga motorët kryesorë të rritjes, megjithëse me ritme më të ulëta.
Komisioni Europian thekson se pasiguritë globale dhe rritja e çmimeve të energjisë, të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, pritet të ndikojnë në moderimin e rritjes ekonomike. Inflacioni parashikohet të rritet gjatë vitit 2026 dhe më pas të qëndrojë pranë objektivit 3% të Bankës së Shqipërisë.
Në raport ngrihen shqetësime edhe për tregun e punës. Edhe pse papunësia pritet të mbetet në nivele të ulëta, emigracioni vijon të konsiderohet një sfidë për ekonominë shqiptare.
Sa i takon financave publike, KE parashikon që deficiti buxhetor të zgjerohet në vitin 2026 dhe më pas të ngushtohet në 2027, ndërsa borxhi publik ndaj PBB-së pritet të vijojë rënien.
Brukseli vlerëson se progresi në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian mund të ndikojë pozitivisht në ekonomi, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe besimin ekonomik.










