Pagesat në euro arrijnë rekord të ri në Shqipëri 

Katër muajt e parë të vitit 2026 kanë qenë mjaft pozitivë për sistemin AIPS EURO, me një numër dhe vlerë transfertash konsiderueshëm më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Konkretisht, në periudhën janar-prill të këtij viti janë realizuar mbi 148 mijë transaksione përmes sistemit AIPS EURO, të cilat kapin një vlerë totale prej rreth 2.3 miliardë euro. Vetëm gjatë muajit prill rezultojnë të jenë kryer rreth 42.7 mijë transaksione, me një vlerë prej afro 733.5 milionë euro.

Transaksionet rezultojnë të jenë rritur me 30% në krahasim me janar-prill 2025.

Në bazë mujore, si numri ashtu edhe vlera e veprimeve të realizuara me AIPS EURO kanë vijuar rritjen edhe gjatë muajit prill në krahasim me marsin. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një zgjerim të mëtejshëm të përdorimit të sistemit, si për pagesa me vlera të mëdha, ashtu edhe për transferta më të zakonshme ndërmjet klientëve.

Sipas statistikave, gjatë muajit janar janë realizuar 31.5 mijë transaksione me një vlerë prej 480.9 milionë euro, në shkurt rreth 35 mijë transaksione me vlerë 494.3 milionë euro, ndërsa në mars numri i veprimeve arriti në mbi 39 mijë, me një vlerë prej 593 milionë euro. Tendenca pozitive ka vijuar edhe në prill, duke regjistruar nivelin më të lartë të deritanishëm si në numër ashtu edhe në vlerë transfertash.

Sistemi AIPS EURO bën të mundur shlyerjen bruto, në kohë reale të transaksioneve të klientëve të bankave për pagesat në euro brenda territorit të Shqipërisë. Sistemi AIPS EURO filloi funksionimin në vitin 2022. Qëllimi kryesor i krijimit të tij ishte kryerja e pagesave në euro brenda vendit me kosto më të ulët dhe në një kohë shumë më të shpejtë. Më parë, procesi realizohej nëpërmjet bankave korrespondente, ndërsa të dhënat tregojnë se sistemi po përdoret gjithnjë e më shumë edhe për pagesa me vlera më të vogla, duke reflektuar familjarizimin në rritje të individëve dhe bizneseve me këtë instrument pagesash.

Sistemi AIPS, i administruar nga Banka e Shqipërisë, përdoret për kryerjen e pagesave me vlerë të madhe në lekë brenda vendit dhe shfrytëzohet kryesisht nga bankat, bizneset dhe institucionet. Përmes tij realizohen transferta të rëndësishme financiare, si pagesa të mëdha biznesesh ndaj furnitorëve, pagesa të institucioneve shtetërore për kontrata publike apo shlyerje detyrimesh mes bankave.

Ndërkohë, sistemi AIPS EURO funksionon në të njëjtën mënyrë për pagesat në euro që kryhen brenda Shqipërisë. Ky sistem përdoret zakonisht për transaksione mes bizneseve që operojnë me kontrata në euro, si pagesa për importe, shërbime apo investime, si edhe për transferta në euro mes bankave për llogari të klientëve të tyre.

Scan