Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka përjashtuar nga radhët e policisë Uljan Shpatarakun, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-drejtorit Ilir Proda.
Sipas informacioneve, vendimi është marrë me motivacionin “mosparaqitje të rregullt në detyrë”. Shpataraku mbante funksionin e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit.
Ai ishte pezulluar më herët nga detyra, në muajin mars të këtij viti, nga drejtori i përkohshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, po për të njëjtën arsye. Në atë periudhë, në vendimin e pezullimit përmendej edhe “moszbatim i hapur i dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale”.
Burime bëjnë me dije se Shpataraku po ndiqte studimet master në Akademinë e Sigurisë, ndërsa dyshohet se, duke përdorur këtë argument, nuk paraqitej rregullisht në punë.










