300 familje në Ferras , FIER mes ujërave të zeza


Bllokimi i kolektorëve të ujërave të bardha dhe të zeza në fshatin Ferras, njësia administrative Levan në Bashkinë Fier, po kthehet në një problem serioz për rreth 300 familje të zonës. Situata është përkeqësuar veçanërisht pas përmbytjeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë, duke bërë që banorët të përballen çdo ditë me ujërat e zeza pranë banesave të tyre.

Sipas banorëve, problematika ka nisur pas ndërtimit të një linje të re kanalizimesh nga një firmë private rreth 15 vite më parë. Ata pretendojnë se pas përfundimit të punimeve nuk është kryer asnjëherë mirëmbajtja apo pastrimi i rrjetit, ndërsa situata është rënduar ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit.

Më problematike gjendja paraqitet pranë pallateve të zonës, ku ujërat e zeza dalin në sipërfaqe, duke krijuar rrezik për infeksione dhe tensione mes banorëve.

Kryeplaku i Ferrasit, Zani Hyka, shprehet se shqetësimi është ngritur vazhdimisht pranë institucioneve përgjegjëse, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Nga ana tjetër, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve ka bërë me dije se investimi i kryer vite më parë nga Bashkia Fier nuk ka qenë asnjëherë në administrimin e këtij institucioni. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, është planifikuar një ndërhyrje brenda dy ditëve për pastrimin e kolektorëve të bllokuar.

Banorët e Ferrasit kërkojnë jo vetëm ndërhyrje emergjente, por një zgjidhje afatgjatë që të shmangë përsëritjen e situatës.