Qeveria miraton 3 parqe të reja fotovoltaike në Qarkun Fier, Sarandë dhe Poliçan


Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e tre impianteve të reja fotovoltaike me kapacitet total 174 megavat, që do të ngrihen në Savër të Lushnjes, Sarandë dhe Poliçan. Projektet u miratuan në mbledhjen e datës 20 maj 2026 dhe parashikojnë prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, pa përfituar nga masa mbështetëse apo kontrata koncesionare.

Sipas vendimeve të publikuara në Fletoren Zyrtare, centrali më i madh do të ndërtohet në fshatin Savër të Bashkisë Lushnjë nga shoqëria “3X ENERGY”, me kapacitet 70 MW. Ndërkohë, në Sarandë do të ndërtohet një park fotovoltaik 50 MW nga “PARK SOL ENERGY”, ndërsa në njësinë administrative Tërpan të Bashkisë Poliçan, kompania “X ONE” do të ndërtojë një impiant me fuqi 54 MW.

Të tre projektet duhet të përfundojnë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimeve dhe do të kenë të drejtë operimi për 49 vite. Shoqëritë janë të detyruara të raportojnë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Një nga kushtet kryesore të vendosura nga qeveria është që kompanitë t’i japin shtetit 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike në formë royalty, ose ekuivalentin e saj në vlerë monetare për buxhetin e shtetit.