Inflacioni në Shqipëri rritet në 2.8%, nën mesataren europiane

Inflacioni në Shqipëri u rrit në 2.8% gjatë muajit Prill 2026, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, duke mbetur sërish nën mesataren e Bashkimit Europian prej 3.2%.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat dhe INSTAT tregojnë se ritmi i rritjes së çmimeve në vend është përshpejtuar krahasuar me muajin Mars, kur inflacioni ishte 2.6%. Shqipëria paraqitet më mirë se disa vende të rajonit si Mali i Zi dhe Serbia me nga 3.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistroi 5.7%.

Sipas statistikave europiane, normat më të larta të inflacionit në Europë gjatë Prillit u regjistruan në Rumani me 9.5%, Kosovë me 7.5% dhe Gjeorgji me 5.9%. Në anën tjetër, Suedia dhe Zvicra shënuan nivelin më të ulët me nga 0.5%.

INSTAT bën me dije se rritja më e fortë e çmimeve në Shqipëri është regjistruar te grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6.6%, i ndjekur nga “Transporti” me 4.1% dhe “Pije alkolike dhe duhan” me 4%.

Në bazë mujore, çmimet u rritën me 0.3% në Prill krahasuar me Marsin, ndërsa ndikimin kryesor e dhanë shtrenjtimi i pijeve alkolike dhe duhanit, shërbimeve të akomodimit dhe kujdesit personal. Ndërkohë, grupi i transportit regjistroi ulje me 0.4%.

Ekspertët lidhin rritjen e presioneve inflacioniste edhe me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin që ato kanë mbi kostot e energjisë dhe transportit.