Ulet cmimi i naftes ne burse

Dy cisterna kineze me naftë kanë dalë mëngjesin e sotëm nga Ngushtica e Hormuzit më herët sot, sipas të dhënave të transportit detar, duke rritur shpresat se konflikti mund të përfundojë së shpejti dhe gjendja në këtë rrugë të rëndësishme detare të rikthehet në normalitet.

Një fund të shpejtë të luftës e parashikon edhe presidenti Donald Trump, ndërsa sinjale pozitive mbërrijnë edhe nga vendet e Gjirit. Ky optimizëm ka ndikuar tek çmimet referencë të naftës, që kanë pësuar një rënie të lehtë, me naftën bruto Brent që u ul përkohësisht në 110.16 dollarë për fuçi.

Toshitaka Tazawa, analist në Fujitomi Securities, tha se investitorët janë “të etur të vlerësojnë nëse Uashingtoni dhe Teherani mund të gjejnë një terren të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje paqeje”, duke shtuar se qëndrimi i SHBA-së ndryshon “çdo ditë”.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mbyllin luftën që e nisën së bashku me Izraelin pothuajse tre muaj më parë. Trump ka deklaruar vazhdimisht gjatë këtyre muajve se një marrëveshje me Teheranin është afër, teksa ka kërcënuar në të njëjtën  me sulme të ashpra ndaj Republikës Islamike nëse ajo nuk pranon të arrihet një marrëveshje. Kreu i Shtëpisë së Bardhë është nën një presion të madh për të siguruar një ujdi që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, ku kalon gati një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë.

Çmimet e gazit kanë vijuar të mbeten të larta në SHBA, dhe popullariteti i Trump ka pësuar goditje përpara zgjedhjeve të Kongresit që afrohen në nëntor.