Një ngjarje e pazakontë është regjistruar pak minuta më parë në qendër të Fierit, ku drejtuesi i një automjeti tip “Porsche”, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me dy automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pas aksidentit shoferi ka tentuar të largohet, madje duke hequr edhe targën e automjetit për të shmangur identifikimin. Kanë qenë disa qytetarë të pranishëm ata që kanë ndërhyrë menjëherë, duke e penguar të arratisej, ndërsa një patrullë policie që ndodhej pranë zonës ka bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e tij.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po kryejnë kontrollet e nevojshme dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.










