Rritet interesi për makinat “green” në Shqipëri. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë një zgjerim të ndjeshëm të tregut të automjeteve Electric Hybrid Plug-in gjatë periudhës Janar–Prill 2026.
Sipas DPSHTRR-së, autoveturat Electric Hybrid Plug-in me 0 kilometra përbëjnë 81.2% të totalit të mjeteve të reja të regjistruara në katërmujorin e parë të këtij viti. Shifrat konfirmojnë orientimin në rritje të qytetarëve drejt automjeteve me teknologji moderne, konsum më të ulët karburanti dhe ndikim më të reduktuar në mjedis.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, regjistrimet e këtyre mjeteve kanë shënuar një rritje prej 26.7%, duke reflektuar transformimin gradual të tregut automobilistik shqiptar dhe zgjerimin e përdorimit të automjeteve “green”.
Sipas të dhënave zyrtare, rritja lidhet me disa faktorë, mes tyre ndërgjegjësimi më i lartë për mbrojtjen e mjedisit, kostot më të ulëta të përdorimit afatgjatë, si dhe interesi në rritje për teknologjitë e reja në sektorin e transportit.
Tendenca në rritje e automjeteve Electric Hybrid Plug-in konsiderohet gjithashtu një hap drejt modernizimit të flotës automobilistike në vend dhe afrimit me standardet europiane për transportin e gjelbër.










