Tentuan të grabisnin çiftin me a*më në Greqi, arrestohen 4 shqiptarë ,arratisur nga burgu


Katër shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke, pasi akuzohen për një tentativë grabitjeje me armë dhe dhunë në zonën e Thermos, në Etoli Akarnania.

Mediat greke raportojnë se të arrestuarit janë Romeo Qosja, Lefter Toci, Mariol Toska dhe Fatbardha Shehi, ndërsa janë publikuar edhe fotot e tyre.

Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi në fillim të muajit prill, kur tre prej autorëve, me fytyrat e mbuluara, hynë në banesën e një çifti përmes një dere të pasiguruar dhe tentuan t’i grabisnin nën kërcënimin e armës. Gjatë përplasjes, ata ushtruan dhunë ndaj kryefamiljarit.

Autorët u diktuan nga djali i çiftit dhe u larguan me shpejtësi, ndërsa njëri prej tyre qëlloi dy herë në ajër gjatë arratisjes.

Policia greke organizoi një operacion për kapjen e tyre. Dy nga të dyshuarit u gjetën të fshehur në bagazhin e një automjeti ku udhëtonte edhe Fatbardha Shehi, ndërsa personi i katërt u arrestua pranë një banese me qira ku ishte strehuar.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një pushkë luftarake, dy karikatorë me 57 fishekë dhe veshje të përdorura gjatë grabitjes.

Sipas autoriteteve greke, dy prej të arrestuarve rezultojnë të arratisur nga paraburgimi, ndërsa një tjetër kishte përfituar leje gjashtëditore nga burgu ku vuante dënimin.