Raporti i AIF: Zbardhen 7 format e pastrimit të parave në Shqipëri

Agjencia e Inteligjencës Financiare ka publikuar raportin për vitin 2025, ku evidentohen shtatë skema kryesore të dyshuara për pastrim parash në Shqipëri, përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, marketingut online, transferta ndërkombëtare dhe transaksioneve bankare të dyshimta.

Sipas raportit, një nga rastet më të spikatura lidhet me blerjen e një vile në bregdet me vlerë 1.5 milionë euro nga një 18-vjeçare, me fonde të siguruara nga motra e saj rezidente në një shtet me lehtësira fiskale.

AIF evidenton gjithashtu një skemë me 11 kompani të regjistruara në Shqipëri, të cilat kanë përfituar rreth 3.7 milionë euro transferta nga vende të Europës dhe Azisë, nën aktivitetin e marketingut online. Sipas analizës, kompanitë kishin lidhje mes tyre dhe shumë prej tyre janë çregjistruar brenda pak muajsh.

Raporti përmend edhe raste të investimeve të dyshimta në toka dhe pasuri të paluajtshme, ku prona të blera me çmime shumë të ulëta janë rishitur më pas me vlera disa herë më të larta.

Në listën e rasteve të referuara për hetim përfshihet edhe një ish-zyrtar shtetëror i dënuar për shpërdorim detyre, i cili dyshohet se ka investuar në apartamente dhe njësi tregtare përmes transfertave dhe huave me burim të paqartë.

Një tjetër skemë lidhet me përdorimin e terminaleve POS për kalimin e rreth 1 milion eurove përmes transaksioneve të dyshuara si mashtruese, ndërsa janë evidentuar edhe raste të personave me precedentë në fushën e narkotikëve që kanë investuar në pasuri të paluajtshme jashtë vendit.

Sipas AIF, të gjitha rastet janë referuar në organet ligjzbatuese për hetime të mëtejshme mbi origjinën e fondeve dhe dyshimet për pastrim parash.