Greqi/ Shembet masivi i dheut në kantier, humb jetën 46-vjeçari shqiptar baba i dy fëmijëve

Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 46-vjeçari shqiptar në Greqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Shpatit të Janinës, ku shqiptari ishte i angazhuar në punime për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve.

Sipas raportimeve të mediave greke, gjatë gërmimeve një masiv dheu është shembur papritur, duke e zënë poshtë punëtorin. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e shpëtimit dhe ekipet mjekësore, të cilat punuan për ta nxjerrë nga dheu, por 46-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Viktima ishte baba i dy fëmijëve. Pas ngjarjes, autoritetet greke kanë shoqëruar dhe arrestuar përgjegjësin e kantierit, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e aksidentit fatal.