Tregjet financiare ndërkombëtare janë përfshirë nga luhatje të forta, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë kanë shtuar pasigurinë tek investitorët.
Kontratat ndërkombëtare të naftës Brent për korrik u rritën me 1.81%, duke u tregtuar në 111.27 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) për qershorin u rrit me 2.15% në 107.69 dollarë për fuçi.
Rritja e çmimeve erdhi pasi Presidenti amerikan Donald Trump publikoi një mesazh paralajmërues ndaj Iranit në platformën “Truth Social”, ku shkroi se “koha po mbaron” për Teheranin. Situata vjen në sfondin e konfliktit që vijon prej muajsh mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, konflikt që ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.
Shqetësimet u shtuan edhe më shumë pas raportimeve për një sulm me dron ndaj një centrali bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë fundjavës, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri në rajon.
Ndërkohë, bursat aziatike shënuan rënie. Indeksi Nikkei 225 në Tokio humbi 0.9%, ndërsa tregjet u goditën nga rënia e aksioneve teknologjike. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar japonez u ngjit në 2.8%, niveli më i lartë që nga fundi i viteve 1990, i nxitur nga pritjet për inflacion më të lartë dhe rritje graduale të normave të interesit nga Banka e Japonisë.
Në Korenë e Jugut, indeksi Kospi u rikuperua dhe u mbyll me rritje 0.9%, ndërsa në Hong Kong indeksi Hang Seng humbi 1.6%. Edhe tregjet në Australi, Tajvan dhe Indi regjistruan rënie.
Në SHBA, tregjet e aksioneve ranë nga nivelet rekord të javës së kaluar. Indeksi S&P 500 humbi 1.2%, Dow Jones ra me 537 pikë, ndërsa Nasdaq u tkurr me 1.5%, i ndikuar kryesisht nga rënia e aksioneve të teknologjisë dhe kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale.
Analistët vlerësojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe tensionet gjeopolitike po shtojnë presionin mbi tregjet financiare globale, ndërsa investitorët po orientohen drejt aktiveve më të sigurta.










