Rreth 900 operatorë në industrinë e qumështit në vend do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian, me qëllim përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe hapjen e mundësive për eksporte.
Sipas Zv.ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, deri tani ka përfunduar faza e parë e kategorizimit për 253 subjekte, ku janë vlerësuar kushtet e higjienës, sistemet e kontrollit HACCP dhe infrastruktura e operatorëve.
Procesi, sipas saj, synon të evidentojë gjendjen reale të sektorit dhe të vendosë detyra konkrete me afate për bizneset, në mënyrë që të arrijnë standardet e kërkuara dhe të kalojnë në kategori më të larta.
Zv.ministrja thekson se ky proces pritet të ndikojë në rritjen e sigurisë ushqimore dhe në hapjen graduale të tregjeve të eksportit për produktet shqiptare të bulmetit dhe produkteve shtazore.










