MIE: “Shqipëria nuk rrezikohet nga mungesa e naftës”

Shqipëria nuk rrezikohet nga mungesa e furnizimit me hidrokarbure. Garancia u dha nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një interpelance në Kuvend, ku prezantoi edhe ndryshimet që parashikon drafti i ri për rezervat e sigurisë.

Sipas Karakaçit, draftligji i nxjerrë për konsultim publik synon që menaxhimi i rezervave të sigurisë të mos kryhet më nga kompanitë tregtare, por nga agjenci shtetërore.

“Për qeverinë shqiptare, siguria energjitike është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e sigurisë kombëtare. Masat e marra për përballimin e krizës janë shumëplanëshe. Është ngritur bordi i transparencës për mbrojtjen e konsumatorit final”, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se është ngritur edhe një grup pune për verifikime në terren lidhur me mbajtjen e rezervës së sigurisë nga shoqëritë që tregtojnë hidrokarbure.

Karakaçi theksoi se ligji i ri vendos një standard të ri për Shqipërinë, duke kaluar përgjegjësinë e rezervave strategjike te shteti.

“Rezerva e hidrokarbureve nuk bëhet më nga shoqëritë tregtare, por nga agjencitë shtetërore. Rezerva e sigurisë aktivizohet kur ka mungesë produkti në treg, por aktualisht qeveria garanton se nuk ka mungesa në furnizim dhe Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj këtij risku”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ministri paralajmëroi se javën e ardhshme pritet të hyjë në fuqi edhe plani i masave për transportin publik urban dhe interurban, pas përfundimit të konsultimeve me grupet e interesit.