Dy fëmijët humben jetën në Durrës, ngrihen dyshime për zbatimin e ligjit ndaj shoferit para aksidentit fatal

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër, pasi u përplasën nga një automjet.

Sipas komunikatave zyrtare, drejtuesi i mjetit, Nikoll Radaçi, rezulton me histori shkeljesh të përsëritura të Kodit Rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie dhe parakalim të gabuar. Në vitin 2022, atij i është pezulluar dy herë leja e drejtimit për nga një muaj.

Megjithatë, sipas pretendimeve që po qarkullojnë pas ngjarjes, në rastin e dytë masa e marrë nuk do të ishte në përputhje me parashikimet e nenit 140 të Kodit Rrugor, i cili në rast shkeljesh të përsëritura brenda dy viteve parashikon pezullim më të gjatë të lejes së drejtimit.

Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të ligjit dhe veprimet administrative të policisë rrugore në atë periudhë.

Pas aksidentit fatal, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka marrë masa të menjëhershme duke pezulluar nga detyra drejtues të Policisë së Durrësit, përfshirë drejtorin e qarkut dhe zyrtarë të rendit dhe policisë rrugore, deri në përfundim të hetimeve.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 15 të qytetit, ku tre fëmijë po luanin në trotuar kur u përplasën nga një automjet tip “Mercedes-Benz ML”. Dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndodhet në trajtim mjekësor dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Ndaj drejtuesit të mjetit rëndojnë disa akuza, përfshirë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit