Në kërkim për ‘puç ushtarak’, arrestohet në Rinas 67-vjeçari turk

Një shtetas turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, është ndaluar në aeroportin e Rinasit teksa tentonte të hynte në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë Ibrahim Karaoglu, 67 vjeç, i kërkuar për “tentativë për rrëzim të rendit kushtetues” dhe “anëtarësim në organizatë të armatosur terroriste”, sipas legjislacionit penal turk.

Ndalimi i tij u bë nga Njësia Rajonale Antiterrorizëm në Tiranë, në bashkëpunim me partnerët turq dhe shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, si pjesë e kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Autoritetet bëjnë me dije se arrestimi është kryer në zbatim të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Turqisë.

Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e procedurave ligjore në kuadër të ekstradimit.