Reagimi i shkollës “Demokracia” pas tragjedisë: “Humbje e rëndë për gjithë komunitetin”
Paraditen e sotme, shkolla “Demokracia”, ku studionin tre të miturit, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen tragjike.
Në mesazhin e saj, shkolla shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e dy nxënësve, duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe jo vetëm për familjet, por edhe për të gjithë komunitetin dhe stafin arsimor.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme. Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte,” thuhet në reagim.
Më tej, shkolla u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve, duke theksuar se fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen.
“Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona. U prehshin në paqe,” përfundon mesazhi i shkollës “Demokracia”.










