Zbardhet dinamika e e aksidentit në Durrës, shoferi i dehur përplasi fëmijët në trotuar

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë 10-vjeçarë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, drejtues i një automjeti tip “Benz”, dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur dhe po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit.

Mësohet se mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në trotuar, ku tre fëmijët po luanin pranë zonës së banimit.

Pas përplasjes fatale, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja duke braktisur makinën, por është arrestuar nga policia vetëm pak minuta më vonë.

Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve humbën jetën në vendngjarje, ndërsa fëmija tjetër u transportua në gjendje të rëndë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.