Operacioni i gjerë antidrogë i zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune në Elbasan, Prrenjas dhe Librazhd ka zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin e rrjetit kriminal të goditur nga policia.
Burime bëjnë me dije se deri tani janë arrestuar 26 persona, ndërsa disa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Gjatë kontrolleve dhe veprimeve operacionale, uniformat blu kanë sekuestruar rreth 8 kilogramë kanabis dhe 100 gramë kokainë.
Mësohet se hetimet për këtë operacion kishin nisur që në shtator të vitit 2025 dhe aksioni është në vijim të operacioneve të mëparshme policore “Rrjeti” dhe “Tempulli”, të fokusuar në goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas të njëjtave burime, gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale proaktive, përfshirë agjentë të infiltruar dhe dokumentim me pamje filmike, çka ka ndihmuar në identifikimin dhe goditjen e personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Operacioni vijon ende, ndërsa priten detaje të tjera zyrtare nga Policia e Shtetit.










