Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.
Aksioni është shtrirë njëkohësisht në disa zona të qarkut, përfshirë Elbasanin, Librazhdin dhe Prrenjasin, ku janë ushtruar kontrolle në banesa dhe ambiente të dyshuara për veprimtari të paligjshme.
Sipas burimeve jozyrtare, me urdhër të Gjykatës janë lëshuar rreth 20 urdhërkontrolle, ndërsa janë ekzekutuar edhe disa masa ndalimi për persona të dyshuar të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve.
Operacioni është ende në vijim dhe pritet që Policia e Shtetit të publikojë së shpejti detaje zyrtare mbi rezultatet e aksionit, sasitë e sekuestruara dhe personat e arrestuar.










