Partia Demokratike pritet të shkojë në zgjedhjet për kryetar me vetëm një kandidat në garë. Sipas vendimit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), të shpallur këtë të premte, Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm në votimin e 23 majit 2026.
Pas shqyrtimit të kërkesave të depozituara, komisioni vendosi të skualifikojë të gjithë kandidatët e tjerë. Në shqyrtim u morën vetëm aplikimet e Sali Berishës, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt, pasi plotësonin kushtin bazë të të qenit anëtarë të Partisë Demokratike.
Sipas vendimit të KOKOE:
- Sali Berisha plotëson të gjitha kriteret statutore për të kandiduar për kryetar të PD-së.
- Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj u skualifikuan pasi, sipas komisionit, nuk plotësojnë kriterin për të qenë “figura me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe nuk kanë eksperiencë drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal.
Komisioni i ka propozuar zyrtarisht Kryesisë së PD-së vetëm kandidaturën e Berishës për miratim, duke e lënë ish-kryeministrin pa rival në garë.
Ndërkohë, kandidaturat e depozituara nga Ervin Salianji, Alesia Balliu dhe Evi Kokalari nuk u pranuan, pasi sipas komisionit nuk plotësonin kriteret e kërkuara.










