Sindikatat protestë para Kryeministrisë në 1 Maj: Drejtësi dhe paga të denja për punëtorët

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë zhvilloi këtë të premte një protestë para Kryeministrisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Përfaqësues të sindikatave dhe qytetarë kërkuan më shumë siguri, drejtësi dhe dinjitet për punëtorët, ndërsa i drejtuan edhe një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama.

“Kërkojmë drejtësi, siguri dhe dinjitet për çdo punëtor. Kërkojmë barazi dhe fund të pandëshkueshmërisë. Kërkojmë luftë reale kundër korrupsionit dhe formalizim të tregut të punës”, thuhej në mesazhin drejtuar kreut të qeverisë.

Mes kërkesave të ngritura ishin paga të drejta, minimum jetik, pensione të denja, paga e 13-të, si dhe status i veçantë për minatorët. Protestuesit kërkuan gjithashtu zbatimin e standardit të punës me 5 ditë në javë dhe 8 orë në ditë.

“Sot të gjithë në sektorin privat janë në punë, kërkojmë drejtësi”, deklaruan përfaqësuesit e sindikatave.

Gjatë protestës nuk munguan edhe thirrjet kundër qeverisë dhe mbështetjes ndaj punëtorëve e minatorëve.

“Duam një qeveri për punëtorët, jo për oligarkët. Jeta jonë nuk është kosto biznesi”, u shprehën disa prej protestuesve.