Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë-Shqipëri për lëvizjen e lirë, shmangen radhët në kufi

Ka hyrë në fuqi këtë të premte marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjellë lehtësim të ndjeshëm të qarkullimit në pikat kufitare mes dy vendeve.

Marrëveshja do të jetë aktive deri në muajin tetor dhe do të zbatohet sërish gjatë muajve dhjetor dhe janar, si edhe në fundjavë. Ajo synon shmangien e fluksit dhe radhëve të gjata në kufi, përmes procedurave të përshpejtuara të kontrollit.

Sipas skemës së re, qytetarët kalojnë kufirin pa kontrolle të detajuara të dokumenteve, përveç rasteve të veçanta të parashikuara nga autoritetet.

Zbatimi i marrëveshjes ka sjellë menjëherë efekt në pikat kufitare, duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes për udhëtarët. Vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 15 mijë shtetas, shumica prej tyre nga Kosova.