Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm rreth orës 08:30 në rrugën nacionale Fushë Krujë–Durrës, në kilometrin e dytë nga Fushë Kruja, pranë zonës së njohur si “Nord Parku”.
Sipas të dhënave paraprake, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe më pas kanë dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë tentativa për parakalim nga ana e një drejtueseje femër, e cila nuk ka arritur të përfundojë manovrën.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur drejtuesja e njërit automjet dhe një pasagjer, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.










