Kontroll i befasishëm në paraburgimin e Vlorës, ja cfare eshte gjetut neper qeli

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht pas kontrollit të zhvilluar këtë të premte në paraburgimin e Vlorës.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, institucioni bën me dije se gjatë aksionit janë sekuestruar 3 televizorë dhe 1 aparat digjital i pavulosur, ndërsa janë gjetur edhe sende të ndaluara të prodhuara në mënyrë artizanale.

Sipas njoftimit, kontrolli u zhvillua më 25 prill 2026, në kuadër të kontrolleve të befasishme për rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare.

Operacioni është kryer në zbatim të urdhrit nr. 626, datë 07.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe është realizuar nga Forcat Operacionale dhe Speciale në bashkëpunim me grupet e sigurisë nga IEVP Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat.

Gjatë kontrollit janë verifikuar regjimi i brendshëm dhe ai i jashtëm i institucionit, përfshirë 58 dhoma dhe ambientet e përbashkëta.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se kontrollet e befasishme do të vijojnë në të gjitha institucionet penitenciare për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit.