Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën kombëtare të planifikuar më 8 maj.
Ai deklaroi se shqiptarët nuk duhet të bien pre e, siç e cilësoi ai, propagandës anti-opozitare dhe përpjekjeve për manipulim të opinionit publik.
“Të ngrihemi fuqishëm në protestën e 8 majit, por mbi të gjitha të ngrihemi kundër murit të propagandës së mashtrimit dhe trillimit që Rama ka ngritur me ‘mafian e fjalës së lirë’,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, media dhe strukturat pranë qeverisë po synojnë të deformojnë të vërtetat dhe të godasin opozitën përmes shpifjeve.
Berisha theksoi gjithashtu se protesta nuk ka të bëjë me pushtetin e Partisë Demokratike, por me mbrojtjen e votës së lirë dhe kundërshtimin e varfërimit të qytetarëve.
“Nuk protestohet për pushtetin e PD-së dhe Berishës, por për votën e lirë të shqiptarëve dhe kundër varfërimit të vazhdueshëm,” deklaroi ai.










