Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, rrëzohet rekursi

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e radhës të paraqitur nga Ilir Meta lidhur me masën e sigurisë, duke lënë në fuqi qëndrimin për vijimin e qëndrimit të tij në paraburgim. Po ashtu, për një tjetër aspekt të çështjes, gjykata ka vendosur ta kthejë dosjen për rigjykim në Apelin e GJKKO-së.

Rekursi i shqyrtuar kishte të bënte me pezullimin e afateve të paraburgimit. Në total, Gjykata e Lartë është shprehur sot për dy rekurse të ndryshme.

Ilir Meta është arrestuar më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohen nga SPAK se, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, kanë abuzuar me funksionet publike për përfitime të paligjshme.

Sipas hetimeve, ata akuzohen se kanë favorizuar kompani private, janë përfshirë në veprimtari lobimi në SHBA dhe në transaksione të ndryshme pasurore, përfshirë shitblerje banesash, me qëllim përfitimin e shumave të konsiderueshme financiare dhe fshehjen e tyre.

Meta akuzohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”. SPAK ka përfunduar hetimet më 28 korrik, ndërsa dosja është dërguar për gjykim në fund të gushtit.