Rama :900 subjekte në rrezik mbyllje nëse nuk plotësojnë standardet e BE-së

Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për gjendjen e sigurisë ushqimore në vend, duke deklaruar se një pjesë e madhe e operatorëve në këtë sektor duhet të përshtaten urgjentisht me kërkesat e Bashkimit Europian.

Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit ushqimor, Rama tha se inspektorë dhe ekspertë të BE-së kanë evidentuar mangësi në zinxhirin e prodhimit, përpunimit dhe ruajtjes së produkteve ushqimore në Shqipëri.

Sipas tij, rreth 900 subjekte rrezikojnë të mos lejohen të operojnë në treg pas anëtarësimit në BE nëse nuk arrijnë të përmbushin standardet e kërkuara.

Ai theksoi se procesi nuk synon ndëshkimin e bizneseve, por përmirësimin e tyre, duke kërkuar bashkëpunim mes shtetit dhe sipërmarrësve për të bërë të mundur përshtatjen me rregullat europiane.

“Disa mund t’i përshtaten me pak investime, të tjerë kanë nevojë për ndërhyrje më të thella,” u shpreh Rama, duke nënvizuar se sfida kërkon informim dhe mbështetje institucionale.