Dy shtetase iraniane janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës, pas raportimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm lidhur me lëvizjet e tyre të konsideruara të dyshimta në kryeqytet.
Sipas denoncimeve të publikuara në rrjete sociale, të shoqëruara me foto dhe video, pretendohej se dy gratë përpiqeshin të komunikonin me fëmijë në zona të ndryshme të qytetit, çka ka ngritur shqetësime te banorët.
Pas këtyre raportimeve, shërbimet e Policisë kanë bërë identifikimin dhe shoqërimin e tyre për verifikime të mëtejshme. Bëhet fjalë për shtetaset me inicialet M. G. dhe A. G., të cilat janë shoqëruar më 21 prill 2026 në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Policia sqaron se, deri në këtë fazë, nuk ka asnjë provë që këto shtetase të kenë kryer veprime të paligjshme ndaj të miturve, ndërsa vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave. Autoritetet garantojnë qytetarët se nuk ka rrezik për sigurinë publike.










