Fier dhe rrethe, rritje e rasteve të dhunës dhe konflikteve, dhjetëra procedime penale në pak ditë

Një valë ngjarjesh të lidhura me dhunën dhe konfliktet është regjistruar në qarkun e Fierit dhe zonat përreth, ku policia ka referuar në Prokurori një numër të konsiderueshëm rastesh për vepra të ndryshme penale.

Në Fier, janë evidentuar raste të dhunës fizike dhe kanosjeve për motive të dobëta, ku disa shtetas dyshohet se janë përfshirë në konflikte që kanë përfunduar me goditje dhe kërcënime ndaj njëri-tjetrit.

Në Lushnjë, policia ka trajtuar disa raste dhune në familje dhe konflikte mes qytetarëve, përfshirë edhe një rast ku një shtetas është pajisur me urdhër mbrojtjeje pas ushtrimit të dhunës ndaj bashkëshortes së tij. Po ashtu, janë regjistruar edhe raste të tjera goditjesh fizike për motive të dobëta.

Në Divjakë, një konflikt mes dy shtetasve ka përfunduar me përdorim të mjetit prerës, ku një person ka mbetur i dëmtuar lehtë, ndërsa autori është proceduar penalisht.

Në Patos, janë raportuar gjithashtu raste dhune në familje dhe konflikte të tjera, përfshirë edhe një episod dhune mes familjarëve, në një rast ku dyshohet se njëri prej personave vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Policia bën me dije se të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë e Fierit dhe po hetohen për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa ngjarjet e shumta brenda një periudhe të shkurtër kanë sjellë rritje të vëmendjes ndaj fenomenit të dhunës në zonë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen B. M., 19 vjeçe, banuese në Durrës, pasi gjatë kontrollit në lokalin që kishte marrë me qira, në Fier, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. B., 32 vjeç, banues në Lushnjë, klient në lokalin e shtetases B. M., pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Kokainë. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasja B. M., kishte punësuar në mënyrë të paligjshme 4 shtetas.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-N. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë autmjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtua shtetasi N. M., i cili po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën;
-E. K., 62 vjeç, banues në fshatin Kolonjë, Lushnjë, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. L., 33 vjeç. Si pasojë u dëmtuan lehtë të dy drejtuesit;
-një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. Y., 51 vjeç, banues në fshatin Mbrostar Ura, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte një shtetas;
-A. H., 54 vjeç, banues në fshatin Cakran, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-B. C., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-P. D., 55 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte një shtetas;
-F. S., 42 vjeç (shtetas turk), banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasit turq F. S. dhe E. S.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. V., 45 vjeç, banues në fshatin Çermë e Sipërme, Divjakë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, shtetasin K. K., i cili është dëmtuar lehtë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Patos referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, pasi ditën e djeshme, ka bërë njoftim të rremë në sallën operative;
-J. T., 27 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij. Shtetasi J. T. dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Lushnjë/Informacion paraprak

Rreth orës 10:00, roja i varrezave të qytetit të Lushnjës, shtetasi O. R., ka konstatuar dëmtime në pjesën e sipërme të një varri.

Paraprakisht dyshohet se varri është dëmtuar (gërmuar), nga shtetasi E. N., 36 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin E. N., në ambjentet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.