“Vetëm 5 sekonda për kontrollin”, gazetari i CNN vlerëson Aeroportin e Tiranës

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po tërheq vëmendjen ndërkombëtare për efikasitetin në përpunimin e pasagjerëve, në një kohë kur shumë aeroporte europiane përballen me vonesa dhe radhë të gjata.

Gazetari britanik Richard Quest, në një raportim për CNN, e cilësoi eksperiencën në Tiranë si një nga më të shpejtat që ka përjetuar. “Sapo jam kthyer nga Tirana, që ka një aeroport të mrekullueshëm. M’u deshën vetëm 5 sekonda për procesin e identifikimit. Vendosa pasaportën dhe kalova menjëherë”, u shpreh ai.

Sipas raportimit, ky efikasitet lidhet me automatizimin e proceseve të identifikimit dhe investimet në infrastrukturë, të cilat kanë bërë të mundur shmangien e flukseve dhe pritjeve të gjata.

Ndërkohë, aeroportet në vende të ndryshme të Bashkimit Europian po përballen me sfida të shumta, për shkak të zbatimit të sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) dhe kapaciteteve të kufizuara.

Rasti i Tiranës po shihet si një model i suksesshëm se si teknologjia dhe organizimi mund të përmirësojnë ndjeshëm përvojën e udhëtarëve.