Pas një periudhe me rritje të ndjeshme, çmimet e fruta-perimeve në tregjet e vendit kanë nisur të bien, duke reflektuar një lehtësim të pjesshëm për konsumatorët.
Nga një vëzhgim në tregjet e Fierit, domatet po tregtohen mesatarisht me rreth 200 lekë/kg, ndërsa kastravecët arrijnë deri në 100 lekë/kg. Specat jeshilë shiten rreth 200 lekë/kg, ndërsa specat e kuq deri në 350 lekë/kg.
Ndërkohë, produkte të tjera si brokoli dhe lulelakra kanë një çmim rreth 150 lekë/kg, barbunjat 300 lekë/kg, ndërsa karrotat rreth 130 lekë/kg. Qepa dhe patatja mbeten ndër produktet më të qëndrueshme në çmim, pa luhatje të ndjeshme.
Edhe pse qytetarët e ndjejnë këtë ulje, shumë prej tyre shprehen se vështirësitë ekonomike vijojnë të ndikojnë në blerjet e përditshme.
Ekspertët e lidhin rënien e çmimeve me hyrjen në treg të prodhimit vendas sezonal, i cili ka rritur ofertën dhe ka ulur varësinë nga importet.










