Shqipëri–Mbretëria e Bashkuar, forcohet bashkëpunimi kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit

Policia e Shtetit dhe partnerët britanikë kanë konfirmuar thellimin e bashkëpunimit strategjik, duke e cilësuar task-forcën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm si një model të suksesshëm me rezultate të prekshme.

Gjatë takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe zëvendësambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Julia Sutherland, u theksua se bashkëpunimi ka sjellë ulje të ndjeshme të rasteve të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, si edhe goditje ndaj grupeve të krimit të organizuar.

Hita vlerësoi partneritetin me agjencitë britanike, duke e cilësuar atë të konsoliduar dhe efektiv në garantimin e sigurisë. Ndërkohë, bashkëpunimi po zgjerohet edhe në fusha të tjera, si Policia Shkencore, teknologjia e informacionit dhe kontrolli kufitar, me fokus në parandalimin e trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe hyrjes së paligjshme të kapitaleve.

Zëvendësambasadorja Sutherland nënvizoi se ky partneritet do të vijojë të zgjerohet më tej, duke e konsideruar një shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm dhe shkëmbimit të ekspertizës mes dy vendeve.